United Diaspora for Albania

Rreth nesh

Rrënjët tona janë në Shqipëri; zëri ynë është kudo.

Protestat qytetare në Shqipëri nisën si një reagim spontan ndaj pakënaqësive të grumbulluara ndër vite dhe shumë shpejt kapërcyen kufijtë e vendit, duke gjetur jehonë tek shqiptarët në mbarë botën. Nga java në javë, mobilizimi qytetar është zgjeruar dhe forcuar, duke u bërë më i organizuar dhe më i koordinuar si brenda vendit ashtu edhe në diasporë. Kjo lëvizje ka krijuar një urë të fortë komunikimi mes qytetarëve në Shqipëri dhe komuniteteve shqiptare jashtë saj, duke e shndërruar angazhimin e diasporës në një zë me ndikim ndërkombëtar.

Një moment i rëndësishëm në këtë valë reagimi qytetar ishte revolta studentore që filloi më 13 tetor pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Fillimisht e nisur nga shqetësimet e studentëve për cilësinë e arsimit të lartë, kostot e studimeve, kushtet infrastrukturore në universitete dhe mungesën e dialogut efektiv me institucionet përgjegjëse, protesta u shndërrua gradualisht në një simbol të kërkesës për reformim dhe llogaridhënie. Studentët artikuluan publikisht problematika të shumta që lidhen me tarifat universitare, transparencën në menaxhimin e fondeve publike për arsimin, kushtet në konvikte, mundësitë e kufizuara për praktikë profesionale dhe fenomenin e emigrimit të të rinjve si pasojë e mungesës së perspektivës.

Me kalimin e javëve, revolta studentore tërhoqi mbështetjen e pedagogëve, prindërve, profesionistëve të rinj dhe grupeve të ndryshme qytetare. Kërkesat e studentëve filluan të perceptoheshin jo vetëm si shqetësime të një grupi të caktuar, por si pjesë e një debati më të gjerë mbi të ardhmen e vendit, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe nevojën për institucione më transparente dhe më të përgjegjshme. Tubimet para Ministrisë së Arsimit u kthyen në hapësira të diskutimit publik, ku u ngritën çështje që prekën jo vetëm arsimin, por edhe qeverisjen, barazinë e mundësive dhe përfaqësimin qytetar.

Paralelisht me zhvillimet në Shqipëri, shumë aktivistë shqiptarë në mbarë botën ndjenë nevojën që kjo energji qytetare të shkojë përtej protestave në terren, duke u përforcuar përmes prononcimeve dhe qëndrimeve zyrtare, kërkesave për transparencë dhe llogaridhënie ndaj institucioneve shqiptare, si dhe përmes angazhimit me partnerë dhe institucione ndërkombëtare.

Nga kjo frymë aktivizmi dhe atdhedashurie, e nisur fillimisht nga protestues dhe aktivistë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lindi United Diaspora for Albania (UDA), një nismë qytetare e diasporës shqiptare që synon të bashkojë zërat, kapacitetet dhe përvojat e shqiptarëve në mbarë botën përmes bashkëpunimit, transparencës dhe angazhimit institucional. Kështu nisi komunikimi me institucione të rëndësishme si Parlamenti Evropian, Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Organizata e Kombeve të Bashkuara, si dhe me organizata të tjera ndërkombëtare që mbështesin demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe interesin publik.

Sot, kjo energji është shndërruar në një rrjet të decentralizuar komunitetesh, ku aktivistë shqiptarë nga 25 shtete të botës ndajnë shqetësime dhe ide, ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe zhvillojnë iniciativa që mbështeten, fuqizohen dhe marrin jetë ndërkombëtarisht, vetëm në shërbim të interesit më të lartë kombëtar shqiptar.

Përmes këtyre protestave qytetare dhe solidaritetit të krijuar ndërmjet qytetarëve brenda vendit dhe diasporës, për herë të parë po ndërtohet një rrjet i tillë koordinimi dhe mobilizimi ndërkombëtar. Synimi është që kjo energji të mos mbetet vetëm një moment reagimi publik, por të shndërrohet në një infrastrukturë të qëndrueshme, të pavarur dhe të bashkuar qytetare, e aftë të ngrejë zërin dhe të veprojë sa herë që interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve cenohen apo rrezikohen.

United Diaspora for Albania (UDA) mbetet e hapur për çdo shqiptar, profesionist, aktivist apo organizatë që dëshiron të kontribuojë në këtë përpjekje të përbashkët. Nëse beson se diaspora mund të bëjë më shumë për Shqipërinë, nëse ke një ide, një zë, një profesion apo thjesht vullnetin për të ndihmuar, bashkohu me ne.

Shtrirja jonë

31 juridiksione gjeografike

Nga Shqipëria dhe Evropa te Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Azia dhe Oqeania.

Harta botërore e shtrirjes së United Diaspora for Albania
Evropë Shqipëri · Austri · Belgjikë · Republika Çeke · Francë · Gjermani · Itali · Holandë · Poloni · Spanjë · Suedi · Mbretëria e Bashkuar
SHBA Arizona · California · Connecticut · District of Columbia · Florida · Illinois · Maryland · Massachusetts · Michigan · New Hampshire · New Jersey · New York · Pennsylvania · Virginia · Washington
Kanada Ontario · Québec
Azi Singapore
Oqeani Australia